CILA PENE? NGA XHELO DAUTAJ

Xhelo DautiDisa nga intelektualët e shumtë e të shquar të fshatit tonë janë vënë në lëvizje e punojnë, studjojnë, mbledhin të dhëna dhe kanë nxjerrë e do të nxjerrin në dritë shkrime e vepra dinjitoze, të cilat Kallaratin e nderojnë.

Por Kallarati që ka një histori të shkëlqyer e shumë të bukur;

Kallarati që, në gjirin e familjes heroike të Kurveleshit e të Labërisë, ka qënë vazhdimisht në pararojë, ka hedhur valle në ballë të betejave, duke zënë vend të nderua;

Kallarati i shumë figurave të shquara atdhetarë trima, kulturë-e arsimdashës;

Kallarati që në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dha një kontribut të shquar për arritjen e fitores;

Kallarati që ka shumë poema e këngë trimërie;

Kallarati me shumë lapidarë, pllaka përkujtimore, shtëpi “Bazë lufte”, me gjithë ata partizanë, dëshmorë të Atdheut dhe me gjithë ato data, vende e ngjarje historike;

Kallarati që në vetvete është një muze i gjallë natyror, përfshirë këtu edhe fshatin e djegur etj.

Për të gjitha këto, si edhe për unitetin e fuqishëm vëllazëror brenda radhëve të bashkësisë së Kallaratit, si dhe me fshatrat fqinjë të Kurveleshit e të grykës së Mesaplikut, Ai meriton të ketë historikun e tij të shkruar. Kjo nuk është dëshirë, por kërkesë e domosdoshme e kohës. Fshati dikur krijoi një komision të gjerë për krijimin e një historiku të plotë të fshatit me kryetar të ndjerin Sinan Xhemili. Me sa di unë, plani i ndërtuar për hartimin e këtij historiku parashikonte tre etapa: periudhën e paraluftës së Dytë Botërore që nga lashtësia, periudhën e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe periudha e pasluftës deri në kohën e sotme. Me etapën e parë e të tretë duhej të merrej nënkomisioni i fshatit, i cili për fat të keq nuk e kreu detyrën. Ndërsa shokët që u morën me periudhën e luftës bënë një punë të lavdërueshme, duke punuar me seriozitetin e duhur e me përkushtim. Ata grumbulluan e shkruan një material të bollshëm, organizuan mbledhje e konsulta të gjëra me ish luftëtarë e bashkëkohës kalla ratas kudo që ishin dhe arritën të hartonin më 1989 një maket pak a shumë të plotë, i cili do t’i nënshtrohej redaktimit përfundimtar që të quhej e mbaruar kjo pjesë. Kjo fazë, për shkak të situatave kritike që u krijuan në vitet 90, mbeti e parealizuar. Një kopje e këtij maketi ndodhet në Muzeun Historik të Vlorës. Ai ka nevojë vetëm për redaktim, gjatë të cilit t’i bëhet ndonjë krehje teprimesh të panevojshme ngjarjesh dhe përshtatje me kohën e sotme të pluralizmit, duke shmangur ideologjizmat. Por pa pjesët e para- dhe pasluftës, vetëm ky maket, kurrsesi nuk mund të përbëjë historikun e fshatit.

Se cila penë, se cili autor do marrë përsipër këtë detyrë nderi nuk e dimë, por dimë dhe kemi shumë besim te Kryesia e Shoqatës sonë Atdhetarokulturore “Kallarati” se do të nxitë intelektualët e njohur të shkencave shoqërore t’i hyjnë kësaj pune dhe me siguri do të na japin një dhuratë të bukur: Historikun e fshatit Kallarat.

 Xhelo DAUTAJ 

GAZETA “KALLARATI” Nr. 46, Korrik-Gusht 2009

Next Post

Kallaratasit që kanë dhënë jetën për çlirimin e vendit

Die Pri 22 , 2012
Kallarati, ashtu si cdo fshat dhe krahinë e Shqipërisë ka dhne kontributin e vet ne clirimin e vendit ne periudha te ndryshme te historise se tij Le të kujtojmë me respekt të thellë jetën dhe veprën e heronjve dhe dëshmorëve të Atdheut, si dhe jetën dhe veprën e bijve të […]
Lapidari kushtuar deshmoreve ne Kallarat