Historiku i Shoqatës

Gafur Shametaj

Shoqata Atdhetare & Kulturore “Kallarati” u krijua më 12 Janar 2003, me nismën e një grupi  bashkëfshatarësh kallaratas me banim në Vlorë dhe me pjesëmarrje bashkëfshatarësh, përveç Vlorës edhe nga Kallarati, Fieri, Tirana. Qëllimi i kësaj shoqate ishte dhe vijon të jetë ruajtja dhe përhapja e vlerave më të mira atdhetare e kulturore të Kallaratit. Si një bashkim i distancuar nga çdo qëndrim politik i çdo ngjyre qoftë, shoqata ka për mision të bashkojë kallaratasit kudo që ndodhen, të bëjë të njohura figurat më të shquara të Kallaratit që kanë bërë emër në historinë e fshatit, të krahinës e të 

vendit por edhe përtej kufijve; të kujtojë datat historike të qëndresës shumëshekullore të kallaratasve kundër pushtuesve të huaj; të kultivojë te brezi i ri kallaratas vlerat më të mira të të parëve tanë, duke përjetësuar lart emrin e nderuar të Kallaratit nën moton “Ec ngado, po Kallaratin mos e harro”. Shoqata, me qendër në Vlorë, ka degët e saj në Tiranë, Vlorë, Fier, Kallarat dhe në Greqi.

Mbledhja themeluese e Shoqatës zgjodhi kryesinë e saj me kryetar njërin nga nismëtarët, intelektualin e mirënjohur, bashkëfshatarin tonë Gafur Shametaj. Ai e drejtoi Shoqatën nga viti 2003 deri në vitin 2007.

Gjatë këtyre katër vjetëve Shoqata ‘Kallarati” mori formë, u konsolidua dhe u bë e njohur jo vetëm për kallaratasit brenda e jashtë Shqipërisë, por edhe më gjerë. Ajo zuri një vend të merituar përkrah shoqatave simotra të fshatrave të tjera të zonës sonë Labe. Ajo e nisi veprimtarinë e saj me një varg angazhimesh e realizimesh në dobi të fshatit e të shoqërisë kallaratase.

Kastriot KarabolliNë zgjedhjet e dyta të radhës më 2007 në krye të Shoqatës u zgjodh Kastriot Karabollaj. Si i ri në moshë dhe i pakursyer për të kontribuuar për mbarëvajtjen e Shoqatës, ai në vijim të traditës së krijuar e ka drejtuar atë me shumë përkushtim e dashuri. Gjatë këtyre viteve të veprimtarisë së saj, shoqata ka zhvilluar një sërë aktivitetesh me karakter atdhetar, historik e kulturor. Ndër to do të veçonim takimin e brezave më 2005, 2009 e 2011; përkujtimin e veprës së Heroit të Popullit Mumin Selami; bërjen e filmit dokumentar për Kallaratin; sjelljen e eshtrave të patriotit Miftar Aliu nga Selcka e Gjirokastrës në vendlindjen e tij Kallarat etj. Shoqata krijoi edhe gazetën “Kallarati”, si përçuese të zërit të saj. Për herë të parë në histori, ajo e bëri fshatin tonë me gazetë. Nën drejtimin e z. Gafur Shametit, kryeredaktor i parë i saj, dhe aktualisht të z. Seit Jonuzaj, gazeta u ka bërë jehonë jetës dhe kontributit të kallaratasve në vite.

Në zgjedhjet e fundit të zhvilluar në Vlorë më 10.12.2011, Zoti Kastriot Karabollaj u rizgjodh përsëri në krye të Shoqatës “Kallarati” për të drejtuar atë edhe në katër vitet e ardhshme.

Next Post

Kryesia e Shoqatës

Die Pri 22 , 2012
Kryesia e Shoqatës që doli nga zgjedhjet e reja të Shoqatës Atdhetare & Kulturore “Kallarati”, zhvilluar në Vlorë më 10.12.2012, përbëhet nga 19 anëtarë, nga të cilët 11 në Vlorë, 4 në Tiranë, 2 në Fier dhe 2 në Kallarat. Anëtarë të kryesisë u zgjodhën: 1. Bejo Xhaferaj 2. Besnik […]