100vjetori
KreuBlogPROJEKT I RRUGËS SË LUMIT TË VLORËS, PROJEKT I SË ARDHMES

PROJEKT I RRUGËS SË LUMIT TË VLORËS, PROJEKT I SË ARDHMES

Të shkruash sot për arsyet, pse rruga e Lumit të Vlorës ose më saktë rruga, që lidh Vlorën me Kuçin e më tutje me Borshin, apo edhe me bregdetin e Himarës, është në gjendje të mjeruar, do të ishte e tepërt. Ky fakt është i njohur për të gjithë banorët e zonës dhe më gjerë. Por a e meriton kjo krahinë një shpërblim të tillë? Edhe kjo nuk do përgjigje. Vlerësimet apo fjalët e bukura të pushtetarëve të djeshëm dhe ndoshta edhe  të sotëm se, banorët e Lumit të Vlorës dhe në përgjithësi banorët e Krahinës së Labërisë kanë dhënë kontribut të pazëvendësueshëm në çdo kohë ndaj atdheut, kur fatet e tij kanë qenë në rrezik, nuk vlejnë aq shumë, kur kjo zonë prej vitesh është lënë në harresë dhe larg vëmendjes së qeverisjes, midis të tjerave dhe më kryesoren pa rrugë automobilistike. Asnjë lloj qeverie e majtë apo e djathtë para viteve 90-të apo në vitet e demokracisë nuk mund të justifikohet për atë që ka patur në dorë dhe nuk ka mundur të bëjë për këtë zonë të veçantë të Labërisë. Justifikimet mund të jenë të shumta, financiare apo edhe politike, por që për banorëve e kësaj zone ato janë të pabesueshme. Atë që Labëria i dha këtij vendi në shekuj, nuk mund të justifikohet në asnjë mënyrë me indiferentizmin  e pushtetarëve të çdo kohe.

Ajo çfarë është bërë në këtë rrugë është shumë pak ose aspak. Sot kjo rrugë, siç është parë edhe nëpërmjet medieve, është kthyer në një rrugë mesjete aq sa gomari e mushka mund të vlejnë më shumë se një makinë. Sot pas mbi 20 vitesh demokraci, sot kur në shumë krahina të vendit  është zgjidhur mjaft mirë problemi i rrugëve dhe infrastrukturës, sot kjo rrugë është në gjendjen më të mjeruar. Edhe pse mediet mund të themi se kanë bërë punën e tyre, pushtetarët bëjnë sikur nuk dëgjojnë. Besoj se i ka zënë gjumi, gjum i cili u del sa herë  ka fushata elektorale. Edhe tani jemi në prag të fushatës dhe me siguri që gjumi edhe mund t’ju dalë, por ndoshta do të jetë vonë.

67458 162596100432679 100000468690992 472301 7037954 nPara viteve 90-të kjo rrugë mirëmbahej ashtu siç mirëmbaheshin të gjitha rrugët e Shqipërisë. Pas vitev 90-të ajo u la në harresë. Me gjithë vizitat e premtimet e vazhdueshme të udhëheqësve shqiptarë në vite, ajo përsëri ngeli në gjendjen që është sot, me përjashtim të një asfalti i thënçin aty nga viti 2003-2004. Sot, që pothuajse rrugët anembanë vendit janë rregulluar, kjo

rrugë edhe pse quhet nacionale, gjendet më e mjerueshme se kurrë. Të udhëtosh nga Vlora në Kallarat e anasjelltas, edhe pse nuk është më shumë se 50 km, të duhen mbi dy orë e gjysëm.  Si mundet banorët e këtij fshati, ashtu si edhe të fshatrave të tjerë të udhëtojnë drejt Vlorës për hallet e tyre, apo më keq në raste fatkeqësish dhe sëmundjesh? Si mundet të zhvillohet ekonomia në këtë zonë kur nuk mund të tregtosh  asnjë lloj prodhimi në qytetin e Vlorës? Si mundet të zhvillohet turizmi në këtë zonë malore edhe pse kushtet i ka të mrekullueshme? Si mundet që emigrantët të investojnë në vendlindjen e tyre, pa le ata të qyteteve të tjera? Si mundet që të huajt të vizitojnë këtë zonë  me tradita historike e kulturore, pale të investojnë në të? Rruga është ajo  që e qytetëron fshatin dhe e bën atë më të dashur për këdo. Rruga nuk ka dhe nuk duhet të ketë ngjyrime politike. Ajo nuk është as rozë e as blu dhe as ndonjë ngjyrë tjetër. Ajo është një rrugë që do t'i shërbejë gjithë banorëve të kësaj zone, por edhe çdo njeriu, qoftë edhe i huaj, që ka dëshirë të investojë për turizmin në këtë zonë të mrekullueshme. Sot kur shikon në foto në internet, aq më  tepër kur e shkel me këmbë, pjesën e rrugës në kufirin midis Vranishtit dhe Kallaratit, apo në Sherishtë, të ngjan se nuk je në shekullin e njëzetë e një, por diku në mesjetë.

Një gjë e tillë ka ndodhur edhe në Kallarat tek Ura e Ubavit, sapo kalon Morrëzen qendrën e fshatit dhe shkon drejt Qafës së Ubavit e ngjashme si në Vranisht. Dikur aty ishte një fushë futbolli ku luanim kur ishim të rinj, por që organizoheshin edhe kampionate futbolli zonale, ndërsa sot, jo vetëm që fusha është zhdukur, por nuk është çudi se mund të rrezikohet edhe ura. 

Ka ardhur koha që kjo rrugë duhet parë për t'i dhënë zgjidhje njëherë e mirë nga Vlora në Borsh dhe nga Kuçi në Himarë, por për momentin urgjente është riparimi i saj duke bërë të mundur qarkullimin e lirë e pa probleme të njerëzve dhe mjeteve.

Kjo zonë ka pasur nevojë dhe ka vetëm rrugën, të tjerat vinë vetë me punën dhe sakrificat e gjithsecilit. Një njeri, politikan apo qeveritar qoftë,  nëse kërkon të mbahet mend nga banorët e kësaj zone, por edhe nga ata që edhe pse aktualisht nuk jetojnë atje por që janë të lidhur e të pandarë me atë zonë patriotike, pavarësisht  bindjeve të tyre politike, do të ishte vetëm rregullimi i rrugës me parametrat e kohës. Mendoj se banorët e kësaj zone do të besonin dhe të do përkrahnin pa masë atë forcë politike dhe qeveri të dalë prej saj, që do të bënte realitet rregullimin e kësaj rruge njeherë e përgjithmonë sipas parametrave dhe standardeve të kohës.

A do të besojë më populli i kësaj zone se dikush më në fund mund ta rregullojë këtë rrugë? A mund të shpresojmë dhe të mbështetim dikë që merr përsipër ta rregullojë këtë rrugë? Kushdo qoftë ai, i majtë apo i djathtë, edhe pse jemi në prag fushate, që premton dhe që populli e beson se mund ta realizojë, mendoj se duhet mbështetur.

Në horizont duket se po shfaqet një dritë jeshile. Dikush, që ka kohë që po sensibilizon opinionin për gjendjen e rrugës dhe nevojën  e përmirësimit të saj, kërkon të bëjë shumë për këtë zonë të lavdishme, por e lënë në harrese. Dhe ky është biri i kësaj zone, kuçioti dhe deputeti aktual, Fatmir Toçi. Pikërisht,  nën kujdesin e tij të drejtëpërdrejtë, kohët e fundit është prezantuar në Tiranë dhe në qytetin e Vlorës, një projekt i rrugës që do të lidhë Vlorën me Kuçin dhe më tutje me Qeparoin dhe Himarën. Projekti është realizuar  nga kompania projektuese Tec. Consult sh.p.k Tiranë me president një djalë nga Lekli i Labërisë, Lluka Llukani, projekt i cili ka më se dy vjet që ka filluar.

img014Nëse dikush ka nevojë të njihet më në detaje rreth këtij projekti, është e nevojshme të studiojë librin “Një rrugë për banorët e Lumit të Vlorës”, përgatitur nga Zoti Fatmir Toçi dhe botuar kohët e fundit nga Shtëpia Botuese “Toena”. Ndërmjet të tjerash në këtë libër thuhet se, segmenti rrugor kryesor është i ndarë në pesë segmente. Projekti parashikon studimin e segmentit rrugor që lidh superstradën  Levan-Tepelenë (në afërsi të Selenicës dhe degëzimin by pass-i i Vlorës- Ura e Peshkëpisë me rrugën nacionale Vlorë -Sarandë (pranë fshatit Qeparo). Sipas variantit rrugor të studiuar, gjatësia e rrugës rezulton të jetë 75 km. Segmenti i parë fillon në urën lidhëse me rrugën nacionale Levan-Tepelenë dhe përfundon në kryqëzimin e rrugës Armen-Selenicë, në afërsi të fshatit Armen me gjatësi 5.85 km. Segmenti i dytë fillon në by pass-in e Vlorës (Sherishtë), që është në fazën e projektimit dhe përfundon tek Ura e Peshkëpisë në afërsi të fshatit Peshkëpi  me gjatësi 5 km. Segment i tretë  fillon në dalje të Selenicës dhe përfundon në hyrje të Urës së Gjormit me gjatësi 28.7 km. Segmenti i katërt fillon në hyrje të Urës së Gjormit dhe përfundon në dalje të Urës së Kallaratit  me gjatësi 22.95 km.  Segmenti i pestë fillon në dalje të Urës së Kallaratit dhe përfundon në rrugën nacionale Vlorë-Sarandë, në afërsi të fshatit Qeparo me gjatësi 22 km.

Projekti parashikon  lidhjen e  aksit kryesor edhe me akset sekondare që e lidh atë me fshatrat në të dy anët e tij.  Rruga do të jetë me parametra sipas standardeve të sotme. Në zonat urbane parashikohet ndërtimi i trotuareve, vendosja e sistemit të ndriçimit publik, vendosja e infrastrukturës së nevojshme nëntokësore për rrjetin e fibrave optikë. Projekti parashikon edhe vendosjen e sinjalizimit vertikal e horizontal dhe të tabelave treguese.

Përgjatë gjithë segmentit rruga kalon përgjithësisht në gjurmën ekzistuese, por në disa vende ajo kalon edhe në gjurmë të reja. Gjatë realizimit të projektit do të punohet për të eliminuar në maksimum ndërhyrjet në pronat private, por edhe atje ku do të jetë e detyruar të bëhen shpronësime, ato do të bëhen në bashkëpunim të ngushtë me pushtetin lokal dhe vetë pronarët, duke bërë dëmshpërblimin e tyre sipas ligjeve në fuqi. Edhe pse ky projekt konsiderohet i mirëstudiuar, ai përsëri do t’i nënshtrohet diskutimit gjatë prezantimit që do t’i bëhet me komunitetin vendas me qëllim që ai të jetë sa më bashkëkohor dhe i pranueshëm për banorët e kësaj zone.

Mendoj se për lexuesit e gazetës “Kallarati” do të ishte me interes të dinin se ç’vend zë rruga e Kallaratit në këtë projekt të madh? Siç shihet edhe nëpërmjet fotos së paraqitur, shkëputur nga projekti i hartuar, rruga që nga kufiri me Vranishtin në Babëzote  dhe deri tek kthesa në afërsi të Shtëpisë së Hamitit do të kalojë përgjatë rrugës ekzistuese, ndërsa nga kthesa ajo nuk do kalojë mes përmes Kallaratit si deri më tani, por do të vazhdojë drejtë në anën e poshtme të kodrës  pranë shtëpisë së Lutos dhe do të dalë në afërsi të Urës së Ubavit. I gjithë ky segment rruge do të jetë gati në vijë të drejtë. Më tej ajo shmanget nga rruga ekzistuese  e Shkallës së Gjikveshit dhe vazhdon për gjatë pjesës së tokës e njohur si Pemishtja dhe bashkohet përsëri me rrugën ekzistuese  poshtë shtëpisë së Lefterit dhe pastaj vijon në rrugën ekzistuese deri në kufi me Kuçin.

Në rast financimi dhe bërje realitet, ndërtimi i kësaj rruge do të jetë një dhuratë për banorët e kësaj zone, e cila do të përmirësojë së tepërmi jetën e tyre, por do të nxisë shumë zhvillimin ekonomik, do të krijojë mundësinë e investimeve nga vetë banorët, por edhe nga biznesmenë vendas e të huaj. Do të bëjë të mundur zhvillimin e turizmit malor edhe në Kallarat. Do të krijojë mundësinë e bërjes së plazhit në bregdetin e Jonit dhe kthimin në mbrëmje pranë shtëpive të tyre. Pra përfitimet do të jenë të shumta. Mbi të gjitha ndërtimi i kësaj rruge do të ndikojë në rritjen e mirëqenies dhe kulturës në mënyrën e jetesës. Shumë prej kallaratasve, edhe pse të larguar, do të kthehen të jetojnë përgjithmonë ose përkohësisht në vendlindjen e tyre.

Sot për sot ky është  veçse një projekt në letër, i cili duhet vlerësuar dhe duhen falënderuar të gjithë hartuesit dhe iniciuesit e tij. Por a duhet të kemi besim se një ditë ky projekt do të mund të bëhet realitet? A do të vijë me të vërtete një ditë që edhe banorët e kësaj zone të kenë një rrugë të standardeve të kohës e të udhëtojnë  si njerëz të qytetëruar të shekullit  njëzetë e një, ashtu siç e meritojnë? Besoj se po. Le të shpresojmë shumë në ditët që vijnë. Le të shpresojmë shumë në qeverisjen e ardhshme. 

Botuar ne numrin 68 te gazetes “Kallarati”

PROJEKT I RRUGËS SË LUMIT TË VLORËS, PROJEKT I SË ARDHMES

LIBRI I VIZITORËVE

KËNGË & VIDEO

SONDAZH

Cili është mendimi juaj për uebsaitin tonë të porsa çelur www.kallarati.com?
 

FACEBOOK FanBox

SPONSOR i faqes www.kallarati.com

Sponsor te faqes www.kallarati.com

GAZETA "KALLARATI"

NUMURI I LLOGARISË I SHOQATËS ATDHETARE & KULTURORE “KALLARATI”

Banka: Societe Generale Albania.
Në LEK në numrin e llogarisë: 1175099
Në EURO në numrin e llogarisë: 1175101
Pë çdo kontribut kontaktoni në adresat:
kontakt@kallarati.com
gazetakallarati@yahoo.com
Sefer Jonuzi Cel: 00355682745862

Nga Blogu

23 Gusht, 2014

100 VJETORI I QENDRESES SE KALLARATASVE NDAJ ANDARTEVE GREKE.

NË DATAT 16 & 17 GUSHT 2014 NE KALLARAT U KREMTUA ME MADHËSHTI 100-VJETORI I… Lexo më shumë...
20 Korrik, 2014

Njoftim per zhvillimin e festes se Kallaratit

Njoftojmë të gjithë kallaratasit kudo që ndodhen se, më 17 Gusht 2014, ora… Lexo më shumë...
21 Qershor, 2014

Faleminderit familja Qejvani. Nga Tonin Marku

Të nderuar lexues të gazetës lokale të fshatit Kallarat! Jam Kolonel Tonin… Lexo më shumë...

Galeria fotografike

Lajmet nga vendi